Dita e sotme ka nisur me vranësira dhe reshje të cilat priten intensifikohen në mbrëmje duke sjellë rrebeshe afatshkurta. Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja paralajmëroi në “Dita Jonë” se situata meteorologjike pritet të përkeqësohet pasdite dhe gjatës natës në të gjithë territorin.

“Reshjet priten intensifikohen në mbrëmje më në veriperëndim e skajin jugor dhe gjatë natës në të gjithë territorin. Termometri shënon rritje, kemi 17 gradë në mesditë, ndërsa temperaturat minimale në zonat malore do të jenë 1-2 gradë. Nga mesdita e në vijim fuqizohen vranësirat. Presim përkeqësim të situatës pasdite dhe në mbrëmje dhe gjatë natës presim rrebeshe në veri, veriperëndim dhe pastaj në të gjithë territorin. Po kështu edhe skaji jugor”.

Sipas meteorologes së A2 CNN edhe era do të forcohet në hapësirat bregdetare me drejtim jugor

“Era do të forcohet në vijën bregdetare me drejtim jugor. Pjesa e dytë e ditës do të vërë në dukje forcimin e erës”.

Edhe në Kosovë, sipas meteorologes Porja do të ketë reshje të pakta deri në mbrëmje.

Porja paralajmëroi gjithashtu se muaji shkurt do të mbyllet me reshje shiu, ndërsa nga datat 2-3 mars pritet ulje e temperaturave dhe reshje bore në territor.