Fushata në terren për projektin shkencor në vazhdim “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë”, një bashkëpunim midis Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe CNRS-Paris, ka përfunduar me sukses për këtë vit.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se, objektivi i projektit përfshin punën mbi mozaikun e vilës së Athinasë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe mozaikun e ambientit qendror të Bazilikës B në Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Në këta dy mozaikë, ekipi realizoi rilevimin grafik dhe ortografik me dron, dokumentoi detajet e ndryshme të strukturave, studioi teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura.
Gjithashtu u kryen ndërhyrje konservuese dhe konsoliduese aty ku ishte e nevojshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre mozaikëve.
Çdo vit në këto parqe ndërhyhet në një mozaik, në konservimin e tij, si edhe kryhet një studim i imtësishëm për mënyrën e ndërtimit, atelienë që ka punuar për të, materialet dhe teknikat.
Bashkëpunimi midis dy institucioneve, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Kombëtare për Studime Shkencore, Lindja dhe Mesdheu, CNRS – Paris, – Universiteti Sorbone-Paris IV ALCP konsiderohet një pasuri shkencore dhe teknike për mozaikët në monumentet shqiptare.