Përdorimi i pakontrolluar i suplementeve të vitaminës D mund të çojë në helmim dhe komplikacione serioze shëndetësore, paralajmëroi një ekspert turk i endokrinologjisë, duke theksuar rreziqet e marrjes së tepërt dhe të pambikëqyrur.

Profesori Dr. Mustafa Altay, specialist në endokrinologji dhe sëmundje metabolike në Spitalin e Edukimit dhe Kërkimit të Universitetit të Shkencave Shëndetësore të Ankarasë,theksoi se nivelet e vitaminës D mbi një prag të caktuar përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm.

“Kur nivelet e vitaminës D tejkalojnë 100 nanogramë për mililitër, ekziston rreziku i helmimit me vitaminë D”, theksoi Altay.

Lidhur me mungesën e vitaminës D dhe përdorimin në rritje të suplementeve, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, Altay shpjegoi se prodhimi i vitaminës D zvogëlohet në vjeshtë dhe dimër sepse rrezet e diellit nuk arrijnë Tokën në këndin e duhur.

Si rezultat, individët që nuk kanë rezerva të mjaftueshme të vitaminës D mund të zhvillojnë një mungesë ose pamjaftueshmëri.

Altay deklaroi se ”një nivel i vitaminës D në gjak midis 30 dhe 50 ng/mL është i përshtatshëm për shëndetin muskuloskeletal tek të rriturit e shëndetshëm”.

“Nëse niveli i matur i vitaminës D është midis 12 dhe 20 ng/mL, ne e konsiderojmë atë si pamjaftueshmëri të vitaminës D. Nëse është më pak se 12 ng/mL, ne e përcaktojmë atë si mungesë të vitaminës D”, deklaroi ai.

Altay paralajmëroi se marrja e tepërt mund të jetë e rrezikshme, duke vënë në dukje se vitamina D grumbullohet në trup dhe nuk mund të ekskretohet lehtë.

“Kur niveli i vitaminës D tejkalon 100 ng/mL, rreziku i helmimit rritet. Marrja e tepërt dhe e pakontrolluar mund të çojë në efekte toksike”, shtoi ai.