Sipas këtij vendimi, zona e mbrojtur e aeroportit nënkupton zonën territoriale, e cila shtrihet në një rreze prej 15 km nga pika e referimit të aeroportit.

Ndërkohë, nga zbatimi i këtij vendimi përjashtohen aeroportet që përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake.

Autoritetet përgjegjëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e rregullave në zonën e mbrojtur të aeroportit janë ministria përgjegjëse për transportin ajror, Autoriteti i Aviacionit Civil (në vijim AAC) dhe autoritetet kompetente për kontrollin e territorit.

Po ashtu, leja për zhvillim apo ndërtim në zonat e mbrojtura të aeroportit merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (në vijim KKTU).

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit marrin mendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil për çdo praktikë aplikimi për leje zhvillimi, leje ndërtimi apo praktikë hartimi dokumentesh për planifikim të territorit, që përmban objekte, struktura apo instalime që ndodhen në zonat e mbrojtura të aeroportit.

Çdo objekt apo strukturë e planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura të aeroportit duhet që të marrë, sipas rastit, miratimin ose pëlqimin nga AAC-ja. Objektet, strukturat apo instalimet do t’i njoftohen AAC-së në lidhje me lartësinë, koordinatat dhe strukturën apo llojin e ndërtimit.

Po ashtu, zhvillimi, ndërtimi ose përdorimi i pasurive të paluajtshme, brenda zonës së mbrojtur të aeroportit, për aktivitete apo veprimtari, të cilat mund të tërheqin botën shtazore, do t’i njoftohen për vlerësim AAC-së, e cila jep vlerësimin brenda 10 ditëve nga bërja e kërkesës.

AAC-ja përcakton nëse objektet apo strukturat e planifikuara për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura janë objekte të rrezikshme për shkak të vendndodhjes, lartësisë ose mungesës së shënimit apo ndriçimit të tyre.

Për këtë qëllim, subjektet zhvilluese, të cilat marrin vlerësimin pozitiv nga AAC-ja, duhet të njoftojnë këtë të fundit për fillimin e punimeve dhe përfundimin e tyre.