Vendimi përcakton rregullat e bashkëpunimit të FA-së me institucionet përgjegjëse si ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë; ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe institucionet në varësi; ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural; ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile; Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore; Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor; Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Shërbimi i mjeteve ajrore pa pilot ofrohet ndaj institucioneve shtetërore, vetëm në rastet kur ky shërbim nuk mund të përfitohet në mënyra dhe mjete të tjera.

Vendimi parashikon se operimi i mjeteve dhe sistemit ajror pa pilot kryhet në çdo rast nga personeli i kualifikuar dhe i certifikuar në organikë të Forcës Ajrore ose strukturave të tjera të Forcave të Armatosura që kanë në dispozicion mjete ajrore pa pilot.

Institucionet shtetërore kanë të drejtë të përdorin imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga mjetet ajrore pa pilot, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të përmbushur detyrimet, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre shtetërore.

Po ashtu, imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot shfaqen në një hapësirë të dedikuar komandim-kontrolli në një nga venddislokimet e Forcave të Armatosura, duke respektuar rregullat e informacionit të klasifikuar dhe të përdorimit të të dhënave personale.

Kur kërkohet njohja me informacion të klasifikuar, institucionet shtetërore kërkuese duhet të autorizojnë personel të pajisur me certifikatën e sigurisë, sipas nivelit të kërkuar, për të administruar dhe për të përdoruar të dhënat të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot.

Strukturat përgjegjëse për administrimin e informacionit të përfituar nga mjetet ajrore pa pilot e vendosin në dispozicion këtë informacion vetëm me kërkesë të institucioneve shtetërore.