Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, për shkak të rënies të intensitetit të reshjeve në hidrocentralin e Komanit nuk ka më shkarkime Në informacionin që dha sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave lidhur me situatën e reshjeve në vend, Peleshi u shpreh se, “kanë vazhduar reshjet ndonëse jo me intensitetin e para 2-3 ditëve, por me intensitet mesatar në pjesën veriore, dhe kjo ka bërë që problematika e përmbytjeve të jetë ende prezente, ndonëse uji është tërhequr dhe pothuajse 3/4 e sipërfaqes është liruar”. Peleshi shtoi se, ka akoma sipërfaqe nën ujë në 2 qarqet më të prekura që janë Shkodra dhe Lezha. “Në bashkinë e Shkodrës, zonat më të prekura janë njësitë administrative, Ana e Malit, Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Bërdicë si dhe lagjet 14 dhe 1 dhe Oboti. Janë evakuuar 22 familje, pra kaq kanë mbetur të evakuuara nga 52 që ishin në fillim. Diferenca është rikthyer në banesë. 83 persona janë si numër banorët e evakuuar nga 318 banorë që ishin në fillim. Nuk ka asnjë banesë me prezencë uji. Sipërfaqja e përmbytur është 1305 ha, por uji vazhdon të largohet. Jo me intensitetin e dëshiruar sepse reshjet vazhdojnë”, tha Peleshi. “Në bashkinë Lezhë, zonat më të prekura janë njësia Dajç, Blinisht dhe Balldren, ku ka 4 banesa me prezencë uji dhe një sipërfaqe të përmbytur prej rreth 1300 ha”, theksoi Peleshi. “Po monitorojmë situatën edhe në jug në lumin Vjosë sepse tani kemi një zhvendosje drejt jugut të reshjeve me intensitet të konsiderueshëm. Pritet të ketë prurje të larta në lumenjtë Shushicë, lumi i Vlorës, siç quhet dhe lumi i Drinos”, u shpreh Peleshi. “Lumi i Drinit dhe Buna ndërkohë janë nën kuotat e nivelit kritik, pra ka rënë niveli çka do të thotë që nuk janë më kërcënues siç ishin para 2 ditësh”, u shpreh ai. Peleshi shtoi se, “nuk ka probleme të konsiderueshme në lumenjtë e tjerë, përveç një problematike në Gjirokastër, ku era e fortë ka shkaktuar shkëputje të energjisë në disa zona, si në Këlcyrë, Memaliaj, Gjirokastër, Tepelenë, në këto bashki. Po punojnë me intensitet specialistët e OSHEE për të rikthyer energjinë elektrike në të gjithë qarkun”. Peleshi u shpreh se, kemi një situatë drejt normalizimit të shpejtë në Durrës, Kukës dhe Dibër. “Numri i FA të angazhuara në operacionet në ndihmë të banorëve për përballimin emergjencave të fundit është 640, 565 forca zjarrfikëse, 454 forca nga Policia së Shtetit, 345 forca vullnetare si dhe gjitha ekipet e shërbimit mjekësor. 135 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe zjarrfikëse si dhe varka dhe motovarka aty ku janë nevojitur”, theksoi Peleshi. Sa i përket qarkullimit rrugor, Peleshi u shpreh se, “nuk ka akse të bllokuara”. “Ka pasur vetëm një rrëshqitje inertesh në aksin Kardhiq-Delvin, por akset nacionale janë të gjitha të hapura. Në akse dytësore, natyrisht sa kohë ka reshje, ka dhe rrezikshmëri, kështu që do t’i bëja apel të gjithë qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm edhe për të mos pasur aksidente, për të evituar çdo ngjarje të pakëndshme”, u shpreh Peleshi. Ai shtoi se problematike ngelen të gjithë rezervuarët në të gjithë Shqipërinë. “Kemi rreth 600 rezervuare që pjesa dërrmuese iu është transferuar bashkive, por kujdesi, investimet rehabilituese, rikonstruksioni i tyre lë shumë për të dëshiruar. Ka pasur pak fonde të alokuara. Kjo i bën ato vulnerabël në situata të tilla”, nënvizoi Peleshi. Peleshi kërkoi nga bashkitë vëmendje që të përgatiten për buxhetin që vjen. “Edhe me buxhetin që ne u transferojmë në buxhetet e tyre, por edhe me buxhetin që është i hapur për projekte konkurruese dhe pastaj alokohet tek bashkitë fituese, për investime në rezervuare posaçërisht”, theksoi ai. “Po punojmë për t’i dhënë prioritet, bonus, apo një orientim prioritar projekteve që do të paraqiten nga bashkitë në rezervuar”, tha ai. Peleshi gjithashtu shtoi se, “lajm pozitiv është që për shkak të rënies të intensitetit të reshjeve në hidrocentralin e Komanit nuk ka më shkarkime dhe në hidrocentralin e Vau të dejës shkarkimet janë fare minimale, janë 6-7 herë më të ulëta sesa në fillim. Pra nuk ndikojnë në përkeqësimin e situatës aktuale të përmbytjeve”.https://ata.gov.al/2022/11/23/peleshi-uji-po-terhiqet-ne-shkoder-e-lezhe-vetem-22-familje-nuk-jane-kthyer-ende-ne-banesa/
Peleshi:Vetëm 22 familje nuk janë kthyer ende në banesa
RELATED ARTICLES