Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti sot pelegrinët bektashinj në Malin e Tomorit. “Përshëndes besimtarët bektashinj, të cilët janë ngjitur këto ditë për pelegrinazh në Malin e Tomorit. Nga shumë krahina të vendit, nga qytete e fshatra, nga male, fusha e lugina, nga Shqipëria dhe Diaspora, qindra-mijëra besimtarë e qytetarë kanë lenë përditshmërinë e tyre dhe i janë drejtuar Malit të Tomorit, këtij Froni të Perëndive, Tempulli të botës fetare të shqiptarëve, për të kryer ritet e kurbanit, faljes dhe urimet për shëndet, mirësi e paqe”, u shpreh Nikolla. “Pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorit është më shumë se një ritual fetar. Është një koncert besimi, përkushtimi, sakrificash, shprese e paqeje”, theksoi Nikolla. “Jehona e gëzimit të pelegrinëve përcillet e shumëfishohet në familjet shqiptare dhe na rikujton se Atdheu, Përkushtimi e Toleranca janë vlera sipërore që shënojnë trashëgiminë e Bejtashinjve në kulturën e shqiptarëve. Dashuri, bekim e paqe për të gjithë!”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.https://ata.gov.al/2022/08/22/nikolla-pelegrinazhi-i-bektashinjve-koncert-besimi-e-paqeje/