Siç pohoi ministrja Manastirliu, ky program përfshin mbi 20 mijë libra, të përzgjedhur nga një listë prej 764 titujsh të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Lista është hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) në bashkëpunim me mësues, specialistë të fushës dhe shtëpitë botuese. Ndër autorët përfaqësues janë Eskili, Shekspiri, Balzaku, Hygo, Tolstoi, Orwell, Dikens, Pasternaku, Kundera, Barleti, Konica, Fishta, Mjeda, Çajupi, Migjeni, Serembe, Kadare, Kongoli, Arapi, etj.

“Ne jemi në prag festash dhe dhurata më e bukur sesa libri nuk ka. Ndaj, kemi vendosur që këtë program, që ne iniciojmë çdo vit, ta finalizojmë në prag të festave, ku vetë pasurojmë bibliotekat shkollore, por u japim mundësi nxënësve që gjatë pushimeve të dimrit të marrin nga biblioteka libra për të lexuar gjatë pushimeve dhe më pas të diskutojnë ato çështje që kanë lexuar në klasë,” tha Manastirliu.

Për herë të parë, shkollat kanë përdorur platformën SMIP për përzgjedhjen e titujve të librave, duke garantuar një proces të hapur dhe efikas, bazuar në nevojat dhe mungesat e bibliotekave të tyre.