Bashkia e Pogradecit ka vijuar punën për pastrimin e territorit nga mbetjet, duke u fokusuar po ashtu edhe në akset nacionale. Së fundmi, aksioni i pastrimit ka përfshirë aksin nacional Qafë Thanë-Pogradec, ku janë larguar mbetje të hedhura kryesisht nga drejtues mjetesh të papërgjegjshëm. “Periodikisht angazhohemi për të pastruar aksin nacional Qafë Thanë-Pogradec nga i gjithë pisllëku që dikush i cili udhëton me makinë në këtë rrugë për të mos prishur rehatin e vet, apo për të mos mbajtur deri në koshin më të afërt, i hedh ato kuturu, ku të mundet.
Një punë e lodhshme në mot me shi, e cila për rezultat kishte të paktën tre kamionçina me letra, bidona, kanaçe dhe mbetje të tjera”, thuhet në njoftimin e bashkisë Pogradec. Ndërsa siguron se autoritetet vendore do të vijojnë të bëjnë detyrën për pastrimin e territorit, bashkia e Pogradecit u kërkon drejtuesve të mjeteve që të sillen si qytetarë europianë. “Pogradeci ka një nga rrugët panoramike, ndër më të bukurat në rajon, e cila kurrsesi nuk duhet ndotur në këtë formë”, thuhet në njoftimin e bashkisë.