Qyteti bregdetar i Vlorës i bashkohet këtë vit mbështetjes në pastrimin e bregdetit përgjatë pikut të sezonit nga qershori në shtator, me operatorin shtesë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, duke siguruar pastrim 24 orë. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila i bëri apel qytetarëve dhe bizneseve të mbajnë pastër mjedisin ku jetojnë. Duke e vënë theksin tek vështirësitë e pafundme, Kumbaro u shpreh se “sfidë e përditshme mbetet së pari me bizneset që hedhin e mbushin koshat e destinuar për familjarët me qeset e restorantit a të hotelit, duke helmuar mjedisin e shkatërruar peizazhin, prandaj u është kërkuar të gjitha strukturave në terren të ndëshkojnë maksimalisht këdo që s’heq dorë nga mbrapshtësitë dhe e quan natyrën mall pa Zot”. Ministrja Kumbaro i bën thirrje të gjithë qytetarëve e pushuesve të mos hedhin shishen nga makina, mos të lënë qesen e plehrave kuturu dhe të mos shëmtojnë mjedisin. Në Vlorë ka dyfishim të forcave përmes operatorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit duke bërë pastrim të koordinuar me forcat e bashkisë. atsh