Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se “në vitin 2013, qytetarët shqiptarë udhëtonin pa viza në 88 shtete. Në vitin 2025, kjo shifër ka arritur në 121 destinacione një rritje prej 33 vendeve”.
“Ky progres reflekton më shumë liri lëvizjeje për qytetarët, forcim të marrëdhënieve diplomatike të vendit, procedura më të thjeshta udhëtimi dhe me më pak barriera administrative”, thekson MIA.
Sipas të dhënave historike të 20 viteve të fundit, “Henley Passport Index” është i vetmi i këtij lloji i bazuar në të dhëna ekskluzive nga Autoriteti Ndërkombëtar i Transportit Ajror (IATA). Indeksi përfshin 199 pasaporta të ndryshme dhe 227 destinacione të ndryshme udhëtimi.
I përditësuar çdo muaj, “Henley Passport Index” konsiderohet si mjeti standard referues për qytetarët dhe shtetet sovrane kur vlerësohet se ku renditet një pasaportë në spektrin global të lëvizshmërisë.





