Friday, November 22, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTPartizani-Tirana , derbi në “Air Albania”

Partizani-Tirana , derbi në “Air Albania”

Të premten në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, do të luhet një nga sfidat më të zjarrta të kampionatit “Abissnet Superiore”, derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana.

Të dyja ekipet deri tani kanë zhvilluar një sezon me ulje dhe ngritje, megjithatë derbi mbetet derbi dhe në “Air Albania” do të luhet për “Final Four” dhe mbi të gjitha për krenarinë e kryeqytetit.

Sipas statistikave, kjo ndeshje pritet të jetë e hapur dhe ofensive pasi do të vihen përballë dy skuadrat që gjuajnë më shumë në portat kundërshtare.

Partizani kryeson këtë statistikë, me 12 gjuajtje drejt portës, ndërsa Tirana me 11.4 goditje drejt kuadratit. Një statistikë mjaft interesante, duke marrë në konsideratë që kryesuesit e kampionatit Egnatia godasin në portë mesatarisht më pak se 11 herë për ndeshje.

Dy ekipet kanë statistika mjaft pozitive në fazën ofensive, por nuk janë skuadrat me mbrojtjet më të mira, duke u renditur në vendin e pestë e të shtatë në kampionat, si ekipet që pësojnë më shumë gjuajtje në portë.

Partizani dhe Tirana nuk kanë shumë ekuilibër mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse. Në këtë statistikë të kuqtë renditen të pestët me 9.74 gjuajtje të pësuara drejt portës, ndërsa bardheblutë të shtatët me më shumë se 11 goditje të pësuara. Skuadra më e mirë në këtë statistikë është Vllaznia me vetëm 8.81, ndërsa Egnatia e dyta me 9.13. Ajo që vihet re është se Tirana, pavarësisht goditjeve të marra drejt portës, është një skuadër që pëson pak.

Nëse ka një gjë të vështirë për t’u parashikuar të premten në derbin e kryeqytetit është se kush skuadër do të ketë përqindjen më të lartë të mbajtjes së topit, pasi deri më tani Partizani, Tirana por edhe Egnatia janë skuadrat që dominojnë në këtë statistikë me një mesatare të mbajtjes së topit më shumë se gjysmën e ndeshjes.

Duke lexuar statistikat, Tirana si grup mund të jetë fituesja e derbit, ndërsa Partizani mund ta arrijë triumfin përmes diferencës që mund të bëjnë lojtarë të ndryshëm. Gjithsesi skuadrat cilësisht janë të përafërta dhe ia vlen ta blesh një biletë për ta ndjekur derbin e së premtes në “Air Albania”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments