Monday, November 25, 2024
HomeSHKENCA DHE JETAParqet Kombëtare, po degradohen, nga ndërtimet

Parqet Kombëtare, po degradohen, nga ndërtimet

Roli dhe rëndësia e parqeve kombëtare për shëndetin publik, tashmë është dëshmuar, për faktin se ato prezantojnë zonat më të frekuentuara dhe më joshëse për t’u vizituar nga qytetarët dhe për të përfituar nga vlerat natyrore, shëndetësore dhe rekreative që bartin ato. Mirëpo, Parqet Kombëtare në Kosovë, “Sharri” dhe” Bjeshkët e Nemuna”, vazhdimisht po degradohen e sidomos nga ndërtimet të cilat në një anë rrisin zhvillimin ekonomik e në anën tjetër dëmtojnë dhe degradojnë pyjet. Parqet dhe zonat e mbrojtura kanë një mision të rëndësishëm për të lidhur njerëzit me natyrën. Ato, jo vetëm që mbrojnë burimet tona të vlefshme natyrore, por japin edhe rezultate pozitive shëndetësore. Vetëm në parkun e Sharrit llogaritet se jetojnë mbi 200 lloje zogjsh, 150 lloje fluturash, 13 lloje zvarranikësh, 10 amfibësh dhe ekzemplarë të shumtë ariu kafe, rrëqebulli, ujku, çakalli dhe dhia e egër. Kjo e bën Sharrin një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në Ballkanin qendror. Drejtori i Parkut Kombëtar “Sharri”, Bajram Kafexholli, thotë për Radio Kosovën se në kuadër të planit hapësinor në parqet kombëtare funksionojnë tri zona. Sipas tij, në zonën e parë nuk lejohet asnjë aktivitet, në zonën e dytë lejohen disa aktivitete siç janë prerjet sanitare dhe zona e tretë ku lejohen edhe ndërtimet. “Në këtë rast i kemi tri zona turistike – është Brezovica, që është e njohur edhe më herët, dhe Prevalla. Ndërkohë për aktivitete duhet të pajisën me leje, tash e kemi edhe Brodin si qendër turistike. Lejet për ndërtim në Brezovicë i lëshon komuna e Shtërpcës”, ka thënë ai. Kafexholli sqaron se në vitin 2012 është bërë zgjerimi i Parkut Kombëtar “Sharri”. Por, në një zonë, përkatësisht në Koretnik, ka pasur djegie të 100 hektarë pyjesh. Sipas tij, zjarret janë shkaktuar qëllimisht. Ndërkaq, për sa i përket prerjes së drunjve në Sharr, ajo bëhet nën kontroll dhe jepet vetëm masa drusore për nevojat e amvisërisë. Ndër të tjera Kafexholli thekson se gjendja në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ndryshon nga ajo e Sharrit, për shkak se në Parkun Kombëtar “Sharri” nuk ka vendbanime derisa në “Bjeshkët e Nemuna” janë 17 fshatra që përfshihen brenda këtij parku. Në anën tjetër, Fatmir Morina, drejtor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, thotë se janë bërë prerje masive dhe shkatërruese. Morina, sfidë i konsideron ndërtimet që janë duke u bërë në përmasa të mëdha dhe se nuk janë konform natyrës. “Deri më tani ka qenë kjo pjesë më pak e zhvilluar. Tash ekzistojnë biznese dhe kërkesat janë të mëdha por ndërtimet nuk janë konform ligjeve të natyrës”, ka thënë Morina. Bizneset nëpër parqet kombëtare janë kryesisht nëpër prona private. Mustafë Nikqi, i cili merret me turizëm malor, njëherësh edhe kryetar i fshatit Shtupec i Madh, thotë për Radio Kosovën se shpallja e Bjeshkëve të Nemuna park kombëtar, banorëve të 13 fshatrave të Rugovës u ka penguar në ushtrimin e biznesit. Ndërkaq, edhe rruga e dëmtuar është pengesë e madhe për vizitorët. “Shkoi dimri dhe ende nuk është dhënë tenderi. Rruga e pa kalueshme ka qenë. Kemi raste kur vizitorët bëjnë rezervime e pastaj thirrin për t’i anuluar. Problem mbetet edhe furnizimi me energji ku një prishje e vogël, e tërë Rugova mbetet në errësirë”, ka thënë Nikqi. Ndryshe, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, është i gatshëm për votim në Kuvend. Sipas tij, banorët e asaj ane kanë kërkuar që përreth Parkut të lejohen ndërtime, e që sipas tij, ato ndërtime nuk duhet që të lejohen. “Ngjeshja e ndërtimeve në Parkun Nacional e degradon natyrën. Standardet e ndërtimin duhet të jenë përtej këndvështrimit urban. Do të ketë shfrytëzim të pyjeve por me plan. Nuk duhet të prehen pyjet për të ndërtuara lagje brenda parkut nacional. Ligji i legalizimit i definon qartë edhe zonat e mbrojtura. Në bazë të këtij plani bëhet edhe legalizimi”, ka thënë Aliu. Ndryshe, faktor kryesor për degradimin e pyjeve vazhdon prerja ilegale e drunjve dhe ndërtimet e shumta që po bëhen në ato pjesë. Kosova ka 4 parqe të shpallura si zona të mbrojtura, dy parqe kombëtare, Parkun Kombëtare “Sharri” dhe Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, si dhe dy parqe të natyrës, që janë “Gërmia” në Prishtinë, dhe “Shkugëza” në Gjakovë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments