Ndryshimi i temperaturave ka sjellë edhe reshjet e para të dëborës në majat e larta të maleve në vend. Parku natyror Korab-Koritnik është mbuluar nga dëbora duke ftuar të pasionuarit pas turizmit malor ta vizitojnë atë. Ky park është kthyer në një destinacion turistik sidomos në stinën e dimrit kur edhe dëbora është e gjithëpushtetshme dhe sjell peizazhe mbresëlënëse. Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Burimet e ftohta të ujit, natyra me diversitet të bimësisë nga ato mjekësore, deri dhe piktoreske, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor në Kukës. Dëbora ka mbuluar edhe parkun kombëtar të Shebenik-Jabllanicë, i cili shtrihet në verilindje të vendit tonë, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit dhe ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësore ato jo prodhuese, shkëmbore, si dhe trojet. Gjithashtu mali i Tomorit në Berat është pushtuar nga dëbora në këto ditë të para dimri, i cili është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh. Mali i Tomorit shtrihet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në një largësi rreth 20-25 km dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Nga të pasionuarit e natyrës organizohen gjatë vitit në malin e Tomorit hiking, ski dhe shumë sporte të tjera.https://ata.gov.al/2022/12/01/parqet-kombetare-natyrore-mbulohen-nga-debora-e-pare/