Parku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh dhe është konceptuar si një zonë multifunksionale për pushim, rekreacion dhe aktivitete në natyrë, duke u konsideruar si “mushkëri e re” për qytetin.
Punimet përfshijnë sistemimin e territorit, ndërtimin e shtigjeve pedonale, hapësirave çlodhëse dhe ambienteve rekreative, në harmoni me mjedisin përreth.
I vendosur mes lumit Buna dhe rrugës kryesore hyrëse të qytetit, parku do të kombinojë zona të gjelbra me hapësira për pushim, kënde lojërash për fëmijë, zona sportive dhe ambiente për piknik.
Një element i veçantë i projektit janë “Kopshtet e Pazarit të Vjetër”, të cilat pasqyrojnë rëndësinë historike të Pazarit të Shkodrës për qytetin dhe rajonin.
Këto kopshte përbëhen nga 30 hapësira të konceptuara si rrugica të ndara sipas zejeve, me gjeometri të frymëzuar nga motivet e veshjeve tradicionale të ekspozuara në Muzeun Historik të Shkodrës.
Projekti parashikon gjithashtu pesë ishuj lojërash për fëmijë të moshave të ndryshme, si dhe një zonë të dedikuar për lojëra tavoline, përfshirë shah dhe pingpong, të hapura për të gjitha grupmoshat.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar gjelbërimit, me ruajtjen e pemëve ekzistuese dhe pasurimin e parkut me bimësi të re, duke përfshirë pemë të larta, shkurre dhe bimë të ulëta, me synim krijimin e një hapësire të qëndrueshme dhe natyrale për komunitetin.





