Fëmijët e qytetit të Beratit do të kenë së shpejti një hapësirë çlodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive, të quajtur Parku Rekreativ ‘Dua të luaj’, i cili ndodhet tek Stadiumi i vjetër. Projekti “Dua të luaj” synon rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe dhënien e mundësisë për zhvillimin motorik të brezave të rinj.
Ky projekt konsiston në ndërtimin e këndeve që mundësojnë zhvillim të aftësive motorike të fëmijëve të moshave të ndryshme dhe që aksesohet nga të gjithë; rimodelimin apo përmirësimin e këndeve të lojërave ekzistues të degraduar, me qëllim rritjen e aksesit dhe bashkëveprimin me elementet natyrorë; si dhe krijimin e infrastrukturave të cilat ndikojnë në sigurinë për grupmoshat 0-14 vjeç, si p.sh. sinjalistikë në infrastrukturën rrugore, barriera dhe hapësira urbane rrethuese në këndet ekzistuese, etj.