Parku Kombëtar “Shebenik”, i shtrirë përgjatë kufirit lindor të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, është një nga zonat më të rëndësishme për ruajtjen e natyrës në vend. Me një sipërfaqe prej mbi 34,500 ha, ai përfshin një mozaik habitatesh malore dhe pyjore me vlera të larta ekologjike, gjeologjike dhe kulturore.

Ky park strehon pyje të virgjra ahu me moshë mbi 140 vjeç, të shoqëruara me bredhin dhe specie të tjera halore, si dhe livadhe alpine të pasura me bimë mjekësore dhe aromatike si çaj mali, boronicë dhe sanëz. Brenda tij ndodhen 14 liqene glaciare që krijojnë peizazhe mahnitëse, ndërsa pyjet e ahut në Rajcë janë shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO si pjesë e grupit “Pyjet e Vjetra të Ahut në Evropë”.

Në Shebenik janë identifikuar dhjetëra lloje gjitarësh, zogjsh, zvarranikësh dhe amfibësh, përfshirë edhe rëqebullin e Ballkanit, një nga speciet më emblemë të parkut, i konfirmuar përmes kamerave kurth.

Megjithatë, sfida të tilla si nevoja për rishikimin e planit të menaxhimit dhe forcimi i kapaciteteve administrative kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për ruajtjen efektive të kësaj pasurie të rrallë natyrore.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me PNUD Albania bën të ditur se, në këtë kuadër, EU4Nature do të mbështesë:

Rishikimin e Planit të Menaxhimit për të reflektuar nevojat aktuale të biodiversitetit dhe kërkesat e rrjetit Natura 2000;

Ngritjen e kapaciteteve të stafit të administratave rajonale dhe institucioneve partnere, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira;

Investimet për rehabilitimin e habitateve dhe rikuperimin e specieve të rrezikuara, me fokus të veçantë tek llojet me rëndësi për Natura 2000.

Parku menaxhohet përmes katër nënzonave – Qendrore A, Qendrore B, Përdorim Tradicional dhe Rekreacion – duke integruar ruajtjen me përdorimin e qëndrueshëm nga komunitetet lokale.

Me mbështetjen e Projektit të qeverisë shqiptare dhe BE, Parku Shebenik synon të kthehet në një model reference për menaxhimin efektiv dhe të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke forcuar rrjetin Emerald dhe përafruar me standardet Natura 2000.

EU4Nature financohet nga BE dhe Ambasada e Suedisë në Tiranë dhe zbatohet nga UNDP Albania në bashkëpunim me MTM dhe AKZM.