Parku Kombëtar i liqenit të Tiranës ofron një peizazh magjepsës në çdo stinë. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park, teksa u shpreh se ky është një nga destinacionet më relaksuese të kryeqytetit. Parku i madh i Liqenit të Tiranës përbën masivin më të madh të gjelbërimit në kryeqytet. Nga pikëpamja funksionale zgjidh deri në njëfarë mase nevojat e popullsisë për pushim dhe argëtim, lëvizje të lirë dhe vrapime në natyrë për të gjitha moshat. Sipërfaqja e Parkut të madh përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e Liqenit Artificial, që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreskë. Parku i madh i Liqenit filloi të ndërtohet në vitet ’50-të. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë 400 m e gjatë e cila i pengon ujërat të vërshojnë drejt Tiranës. Në vitin 1957-1958 filloi mbjellja e bimësisë dekorative, si dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut.