Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta është një zonë mbresëlënëse dhe e sigurtë për jetën e egër, me gamë të gjerë bimësie dhe shpendësh. Megjithatë, parku përballet me shumë sfida në aspektin e ruajtjes dhe financimit. Për të adresuar këto sfida, UNDP nëpërmjet projektit “Përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare të rrjetit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri” synon të zgjerojë numrin e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe t’i mbështesë ato në forcimin e mekanizmave të tyre të financimit. Në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta, një nga zonat pilote, UNDP punon me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të mbrojtur zonën dhe ekosistemin e saj unik. Mbështetja e UNDP shkon në zbatimin e masave të efektshme të ruajtjes dhe në zhvillimin e modeleve të qëndrueshme të financimit. Një nga arritjet kryesore të projektit është ndërtimi i një qendre rehabilituese për zogjtë e egër në park. Qendra, e cila është e vetmja e këtij lloji në Ballkan, është e mirëpajisur për të trajtuar dhe rehabilituar zogjtë e egër që kalojnë nëpër Shqipëri në rrugët e tyre të migrimit. Kjo është shumë e rëndësishme për ruajtjen e këtyre lloj speciesh, të cilat po përballen me shumë rreziqe, përfshirë këtu humbjen e habitatit dhe ndryshimet klimatike. Mbështetja e UNDP nuk konsiston vetëm në mbrojtjen e Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta dhe ekosistemit të tij unik, por gjithashtu edhe në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për sistemin e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Së bashku me komunitetet lokale, Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe partnerë të tjerë, UNDP po punon të sigurojë që zonat e mbrojtura në Shqipëri të jenë të qëndrueshme nga ana financiare dhe të mund të menaxhohen efektivisht. Projekti është një shembull i bashkëpunimit mes UNDP dhe GEF që sjell përfitime të vërteta dhe të prekshme për mjedisin natyror dhe njerëzit që varen prej tij. Projekti nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së biodiversitetit të planetit dhe rolin që një financim i qëndrueshëm mund të luajë në arritjen e këtij qëllimi. ATSH
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me qendër rehabilituese për zogjtë e egër
RELATED ARTICLES