Parku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh dhe do të jetë një zonë multifunksionale për pushim, rekreacion dhe aktivitete në natyrë, duke u konceptuar si “mushkëri e re” për qytetin.

Punimet përfshijnë sistemimin e territorit, krijimin e shtigjeve pedonale, hapësirave çlodhëse dhe ambienteve rekreative, duke ruajtur harmoninë me mjedisin përreth. Parku ndodhet mes Bunës dhe rrugës kryesore hyrëse të qytetit dhe kombinon zonat e gjelbra me hapësirat për pushim, këndet e lojrave për fëmijë, zonat sportive dhe të piknikut.

Një element i veçantë janë Kopshtet e Pazarit të Vjetër, të cilat pasqyrojnë rëndësinë historike të Pazarit të Shkodrës për qytetin dhe për Ballkanin. Kopshtet përbëhen nga 30 dhoma, që ngjasojnë me rrugicat e pazarit të ndara sipas zejeve, ndërsa gjeometria e tyre është e frymëzuar nga motivet e veshjeve tradicionale të ekspozuara në Muzeun Historik të Shkodrës.

Këndet e lojrave për fëmijë përbëhen nga pesë ishuj lojërash me programe argëtuese për fëmijët e moshave të ndryshme, ndërsa zona e lojërave të tavolinës është e dedikuar për shah, pingpong dhe lojëra të tjera për të gjitha moshat.

Vëmendje e veçantë është kushtuar gjelbërimit. Pemët ekzistuese ruhen dhe parku do të pasurohet me bimësi të re, duke përfshirë pemë të larta, shkurre dhe bimë të ulëta, për të krijuar një hapësirë të bukur, natyrale dhe të qëndrueshme për qytetarët.