Ky park, 120 mijë metër katrorë është ideuar të ketë disa hapësira, që do të përfaqësojnë besimet fetare të shqiptarëve, ku çdo fe do të ketë rrugën e saj, me elementë sipas shkrimeve të shenjta të çdo besimi, duke nisur që nga objektet e kultit deri te bimët, që përmenden në librat e shenjtë. Parku i Besimit do të ndërtohet në kodrat e Petrelës, në një zonë që dikur shërbente si kazermë ushtarake.
Projekti është realizuar nga studioja me famë botërore BIG (Bjarke Ingels Group), që u shpall fitues të dielën pas një gare ku morën pjesë dymbëdhjetë kompani ndërkombëtare.
Parku i Besimit, i konceptuar si një hapësirë simbolike e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë kulturore, pritet të jetë një vepër ikonike që do të pasurojë peizazhin dhe identitetin shpirtëror të vendit. Projekti është vlerësuar për qasjen e tij gjithëpërfshirëse, inovative dhe për mënyrën si i jep jetë bashkëjetesës midis natyrës, njeriut dhe besimeve.
Parku i Besimit pritet të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të promovimit të bashkëjetesës dhe diversitetit në Shqipëri, duke pasqyruar vlerat unike të tolerancës ndërfetare që e karakterizojnë vendin tonë.





