Teatri antik në parkun arkeologjik të Orikumit përfaqëson një nga ndërtesat me monumentale të zbuluara në Orikum. Monumenti daton në fillimin e shekullit III para Krishtit dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike. Shkallarja e teatrit pjesërisht mbështetej në pjerrësinë e kodrës shkëmbore dhe pjesërisht ka qenë e ndërtuar me mure radiale. Prej saj na ruhet vetëm radha e parë e ndenjëseve, e vendosur mbi një podium, e cila i rezervohej elitës së qytetit.
Orkestra ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha prej guri, ndërsa skena ka qenë e dekoruar me kolonada dhe gjysmëkolona. Ky është një nga teatrot më të vegjël të njohur deri më sot në Shqipëri, me një kapacitet rreth 500-600 spektatorë. Duke marrë në konsideratë veçoritë e këtij teatri mendohet se ai mund të ketë luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ceremonitë dhe procesionet fetare të qytetit. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë fton turistët të vizitojnë monumentet dhe parqet arkeologjike, për të shijuar një fundjavë ndryshe.