Projekti i ri i parkimit nëntokësor me dy kate për 210 automjete, ku përfshihet edhe rehabilitimi i fasadave në sheshin “Avni Rustemi” në Tiranë, do t’i japë më shumë hapësirë qytetarëve dhe turistëve të kryeqytetit.
Sheshi, i cili shërben si urë lidhëse e Pazarit të Ri me unazën e brendshme të Tiranës me anë të dy rrugëve “Hoxha Tahsim” dhe rruga “Tefta Tashko-Koço”, përbën një zonë me rëndësi të madhe në zhvillimin e kryeqytetit, si një pikë kyçe atraktive.
Projekti për të cilin po punohet parashikon ndërtimin e parkimit nëntokësor me dy kate për 210 automjete dhe me rehabilitimin e fasadave përgjatë gjithë rrugës “Luigj Gurakuqi” duke krijuar një atmosferë tjetër që nxit bashkëveprimin midis komunitetit, e duke i dhënë më shumë hapësirë qytetarëve dhe turistëve.
Ky projekt vjen në vijim të punës transformuese për modernizimin e infrastrukturës në kryeqytet. Projekti që është në zbatim përfshin Sheshin Avni Rustemi, i pozicionuar vetëm 500 m larg sheshit kryesor të Tiranës, i ndërtuar në 1935 dhe që gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së II që prej vitit 2007.