Meterologia, Lajda Porja thotë se ditët e para të javës, deri të martën, do të karakterizohen me vranësira, kthjellime dhe në disa zona të vendit do të ketë rrebeshe shiu. Në një intervistë për Euronews Albania, Porja u shpreh se nga e mërkura e deri të premten, moti do të jetë i qëndrueshëm dhe me diell. “Sot, deri në orët e vona të mbrëmjes do të kemi kthjellime dhe vranësira. Mëngjesi i ditës së nesërme do të përfshihet nga reshjet. Deri në mesditën e së martës do të ketë herë pas here rrebeshe, kryesisht në zonat verilindore dhe veriperëndimore. Ky sistem pritet të qëndrojë shumë pak. Duke filluar nga e mërkura, na pret sërish përmirësim i dukshëm i motit, ku do të ketë reshje të pakta dhe të izoluara në zonat malore dhe pjesa tjetër do jetë kryesisht me vranësira dhe kthjellime. Deri ditën e premte do jemi sërish nën ndikimin e motit të qëndrueshëm, ku do të ketë shumë interval kohor me diell”, theksoi ajo.