Galeria e Artit Tiranë inauguroi ekspozitën “Paradis Artificiel” (Parajsa artificiale), të çiftit të artistëve Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari (The Two Gullivers).
Ekspozita vjen si një seri vizatimesh me lapsa me ngjyra në kuadrin e një projekti më të gjërë të quajtur “Picturing Performance”, i cili konsiston në eksplorimin e imazheve dhe gjurmëve materiale të performancave që ata kanë realizuar që nga fundi i viteve 90’.
Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari, punojnë dhe krijojnë së bashku si një duo artistike që nga viti 1998 nën pseudonimin artistik The Two Gullivers dhe janë të përkushtuar ndaj artit të performancës në një kontekst ndërdisiplinor.
Në tekstin kuratorial, që GAT publikoi në rrjetet sociale, thuhet se kujtesa, imazhi, dhe gjurma vizuale e performancës riaktivizohen përsëri përmes paraqitjes së veprimit dhe aksionit performativ, duke përdorur në pjesën më të madhe të rasteve lule artificiale që nga trajtimi plastik duken sikur janë natyrale, të freskëta.
Koncepti i “The Two Gullivers” është zgjeruar edhe me vizatime të luleve natyrale të cilat sipas tyre, gjithashtu na transportojnë drejt një parajse të pakapshme dhe ARTIFICIALE.
Koncepti i Gulliver-it, i frymëzuar nga libri i Jonathan Swift, përbën idenë e udhëtimit, të emigracionit dhe zhvendosjes si pjesë integrale të veprës që ata krijojnë.