Pandemia e Covid-19 mund të ketë ndikuar në plakjen e trurit tek moshat mbi 50 vjeç, thotë një studim i ri në Mbretërinë e Bashkuar. Studimi, i quajtur “PROTEKT” u krijua për të ndihmuar të kuptohet se si plaket truri i shëndetshëm dhe pse disa njerëz zhvillojnë demencë. Më shumë se 3000 vullnetarë plotësuan pyetësorët për matjen e ndryshimeve në kujtesën e tyre që nga nisja e pandemisë dhe rezultatet zbuluan një rënie të fuqisë së saj. Gjatë studimit u përdorën ushtrime në mënyrë që të kontrollohej aftësia e kujtesës dhe arsyetimi, ndërsa testet hulumtonin faktorët e mundshëm të rrezikut që mund të dëmtonin shëndetin e trurit. Bazuar në gjetjet aktuale, izolimi dhe kufizimet që kanë përjetuar njerëzit gjatë pandemisë mund të kenë përshpejtuar plakjen e trurit. Stresi, vetmia dhe konsumimi i alkoolit mund të shpjegojnë disa nga gjetjet e studimit, thonë ekspertët. Përballja me frikën, shqetësimet dhe pasiguritë e Covid-it, por edhe ndërprerja e rutinës mund të ketë pasur një ndikim të madh në shëndetin e trurit, theksojnë ata. Njerëzit që kishin probleme të lehta me kujtesën përpara fillimit të pandemisë, në vitin pas infeksionit pësuan rënie më të madhe të saj. Shumë nga pasojat afatgjata të Covid-19, ose masat kufizuese të zbatuara në mbarë botën, mbeten të panjohura, por sipas studiuesve ka prova se disa nga faktorët siç ishte izolimi social, mund të kenë ndikuar negativisht në shëndetin e trurit.
Pandemia e Covid-19 mund të ketë ndikuar në plakjen e trurit tek moshat mbi 50 vjeç
RELATED ARTICLES