Në vazhdën e tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kanalin e Panamasë, Panamaja po braktis pjesëmarrjen e saj në nismën e zhvillimit të infrastrukturës “Një brez, një rrugë të Kinës, tha sot presidenti i Panamasë, José Raul Mulino.

“Pala kineze tashmë është informuar për tërheqjen nga projekti”, tha Mulino.

Nisma e njohur si Rruga e Re e Mëndafshit i referohet projekteve të ndryshme të bashkëpunimit tregtar dhe infrastrukturor midis Kinës dhe më shumë se 150 vendeve të botës. Panamaja iu bashkua nismës në 2017.

Sekretari i ri amerikan i shtetit, Marco Rubio, udhëtoi në Panama gjatë fundjavës për të nënvizuar pretendimet e presidentit Donald Trump për Kanalin e Panamasë.

Ai tha gjithashtu se ndikimi i Kinës në rrugën ujore globale ishte i papranueshëm.

Kina hodhi poshtë akuzat dhe shprehu keqardhjen për mundësinë e tërheqjes së Panamasë nga projekti prestigjioz.

“Nëse Panamaja do të reduktonte bashkëpunimin e saj me Kinën nën presionin e SHBA-së, ky do të ishte një vendim për të ardhur keq”, tha në Nju Jork ambasadori kinez në OKB, Fu Cong.