Më shumë se 200 persona janë raportuar të vdekur nga shirat e dendur dhe përmbytjet në Pakistan – që nga fillimi i sezonit të musoneve në korrik, thanë sot zyrtarët.
“Ekipet e shpëtimit kanë transportuar banorët nga qytetet jugore të Sukkur dhe Larkana në tokë të thatë – për shkak të përmbytjeve masive që përfshinë disa lagje – duke regjistruar shirat më të dendura në shtatë dekada”, tha zyrtari lokal Sheikh Uzair.
Autoritetet ishin në gatishmëri të lartë për të kulluar ujërat e shiut nga metropoli jugor i Karaçit me një popullsi prej më shumë se 20 milionë banorësh – mes parashikimeve për reshje të dendura në 24 orët e ardhshme, tha ministri provincial i Informacionit Sharjeel Memon.
“Rreth gjysma e 215 të vdekurve ishin fëmijë, ndërsa më shumë se 400 njerëz u plagosën”, tha agjencia kombëtare e menaxhimit të fatkeqësive.
“Shumica e vdekjeve u regjistruan në provincën qendrore të Punjabit, e ndjekur nga rajoni veriperëndimor i Khyber-Pakhtunkhwa”, tha agjencia në përditësimin e fundit.
“Reshjet e dendura të shiut priten të vazhdojnë në të gjithë vendin deri më 25 gusht”, tha shefi i metrologut Sardar Sarfraz.
Mbi 2 000 persona u vranë nga përmbytjet dhe sëmundjet pasuese në Pakistan në vitin 2022, kur një e treta e vendit të Azisë Jugore u përmbyt nga uji.