Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2024 arriti 83,401 lekë, duke u rritur me 11,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë ato financiare dhe të sigurimit dhe informacioni dhe komunikacioni.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2024 paga mesatare bruto në aktivitetin e ndërtimit, ka rritjen më të madhe prej 14,9 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti informacioni dhe komunikacioni prej 5,9 %.

Gjatë tremujorit të katërt 2024, grup-profesionet e “menaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “profesionistë me arsim të lartë”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.