Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thotë se vendi kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Vjosa Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës, iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Presidentja Osmani foli për garanci për sigurinë, e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte, siç tha, më shumë paqe e siguri në rajon.
Vjosa Osmani shtoi se Kosova nuk po kërkon t’i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha “zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe deyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de facto të Republikës së Kosovës”.
Presidentja Osmani i bëri komentet ndërsa ndodhet në Uashington me ftesë të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken për të marrë pjesë në takime që mbahen në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s.
Të martën Departamenti amerikan i Shtetit organizoi një takim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku mori pjesë edhe presidentja Osmani.
Zyra e presidentes Osmani është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve globalë nga zyra e sekretarit Blinken për të themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.