Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që mos të kërkojë nga Kosova të zbatojë gjëra të cilat nuk janë në marrëveshjen bazë Kosovë-Serbi, por të insistojë në zbatimin e aneksit të marrëveshjes për të cilin janë pajtuar dy palët. Ajo ka thënë se interpretimet e reja nga BE-ja, ku neni shtatë kërkohet të jetë prioritet apo parakusht i zbatimit të neneve të tjera të marrëveshjes e zhvlerësojnë procesin e dialogut. Osmani në një deklarim para gazetarëve, pas ceremonisë së themelimit të shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri, tha se Kosova do të zbatojë të gjitha nenet për të cilat është zotuar, por jo hapa të tjerë të cilat nuk është pajtuar. “Republika e Kosovës është pajtuar për atë që është e shkruar në letër në takimet e marsit, prillit dhe atë të fundit më 2 maj. Tani interpretimet e reja që kërkojnë nga Republika e Kosovës që të dalë përtej asaj që është e shkruar në letër në marrëveshjen bazë dhe në aneks, por edhe në deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, nuk e ndihmojnë procesin e dialogut. Presim që edhe interpretimet nga miqtë tanë të jenë në përputhje me atë që jemi pajtuar dhe jo të kërkohet nga Republika e Kosovës që të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje. Në mënyrë më specifike ajo çka po i referohem ka të bëjë me kërkesat që një nen i caktuar i marrëveshjes të ketë prioritet apo parakusht për zbatimin e neneve të tjera. Ne nuk jemi pajtuar për një gjë të tillë, prandaj interpretimet e tilla vetëm sa e zhvlerësojnë procesin e dialogut dhe marrëveshjet që dalin nga ajo. Republika e Kosovës do të zbatojë të gjitha ato për të cilat është zbatuar, jo për hapa të tjerë që nuk është pajtuar. Këtë qëndrim ne e mbajmë si shtet vazhdimisht edhe në Bruksel dhe kudo tjetër ku mbahen takimet…Ne presim që BE-ja mos të kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ndërkaq të kërkohet pikërisht ajo që është pajtuar Kosova dhe Serbia. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë, deri tani nuk e kemi pa një gjë të tillë”, tha ai. Krahas kësaj, e para e shtetit tha se Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive në proces të dialogut me ide evropiane. “Republika e Kosovës do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive. Në çdo proces të dialogut shkon me mendje të hapur dhe ide të cilat janë evropiane dhe jo që na shpien prapa në shekullin e kaluar. Ide që janë të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Jo ide të cilat mund t’i jepni Serbisë instrumente për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial. Rrjedhimisht është me rëndësi që në çdo proces si dritë udhërrëfyese të kemi Kushtetutën e Kosovës, e cila edhe ashtu është Kushtetuta më e avancuar në gjithë kontinentin evropian”, shtoi Osmani. atsh
Osmani: BE jo gjëra që nuk janë në marrëveshje
RELATED ARTICLES