Prezenca e OSBE në Shqipëri, në vijim të nismës për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe pushtetit vendor, këtë javë, zhvilloi takime informuese dhe bashkëpunuese në bashkitë Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës.

Këto takime shërbyen për të ndërtuar ura bashkëpunimi, jo vetëm me përfaqësues vendorë, por edhe me organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbështesin qytetarët për të pasur akses më të mirë në sistemin e drejtësisë.

“Përmes bashkëbisedimeve me qytetarët në terren dhe me përfshirjen në media lokale, përhapëm më gjerësisht informacionin mbi të drejtën për ndihmë juridike falas për ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi Prezenca e OSBE në një postim në rrjetet sociale.

Sipas prezencës së OSBE, kjo qasje gjithëpërfshirëse synon të forcojë ndërgjegjësimin dhe të sigurojë që askush të mos mbetet pa zë për shkak të pamundësisë ekonomike.