Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vlerësoi 20 këshilltare bashkiake të motivuara, të cilat përfunduan Programin e Ekselencës së Grave në Nivel Vendor (WoMEP) dhe organizoi gjithashtu modulin e dytë të trajnimit për 22 këshilltare të tjera, brezi i tretë i WoMEP-it. WoMEP-i i ndihmon gratë këshilltare të lidhin politikat dhe propozimet me ndjeshmëri gjinore me buxhetet e bashkive, si burim parësor për financimin e nismave që trajtojnë nevojat e komuniteteve në nivelin vendor. Ashtu si në dy edicionet e mëparshme, propozimet e zhvilluara nga brezi i tretë i këshilltareve pjesë e WoMEP-it do u prezantohen këshillave përkatës për qëllim financimi nga buxhetet bashkiake të vitit 2023. Gjatë tri viteve të fundit, Prezenca ka ndihmuar këshilltaret vendore aktive të zhvillojnë propozime konkrete për projekte, me synim zbatimin e tyre në bashki. Propozimet u përkasin fushave të ndryshme si: përkrahja e turizmit, ndihma për viktimat e tërmetit të vitit 2019, mbështetja për viktimat e dhunës me bazë gjinore. Deri më sot, WoMEP-i u ka mundësuar më shumë se 60 grave këshilltare bashkiake nga e gjithë Shqipëria të rrisin rolin e gruas në vendimmarrje në nivelin vendor. “Niveli vendor është ai që qëndron më afër qytetarëve dhe besimi tek institucionet ndërtohet pikërisht këtu. Nëse ia dilni të krijoni besimin te ju vetë dhe te puna e juaj, atëherë ia dilni edhe të krijoni besim në institucionet e Shqipërisë,” tha zëvendëskryetarja e Prezencës, Clarisse Pasztory, gjatë aktivitetit. Ajo shtoi se shpreson që shumë prej pjesëmarrëseve të WoMEP-it të garojnë përsëri në zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe të zgjidhen përsëri si këshilltare apo edhe si kryetare bashkie. Në veprimtari morën pjesë edhe anëtare të Aleancës së Grave Deputete, forum ky i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së. Kryetarja e Aleancës Merita Bakiu dhe zëvendëskryetarja Etilda Gjonaj shprehën gatishmërinë e tyre të punojnë për fuqizimin e rrjetëzimit ndërmjet grave deputete dhe këshilltareve bashkiake për të çuar përpara nisma në nivelin vendor.https://ata.gov.al/2022/10/10/prezenca-e-osbe-se-fuqizon-grate-keshilltare-ne-shqiperi/