Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara nga nxënësit.

“Me orë të dedikuara mësimi, aktivitete në natyrë, mbjellje pemësh apo projekte ekologjike, Edukimi Mjedisor po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm për fëmijët e shkollave në gjithë vendin, që bashkë me specialistët e zonave të mbrojtura informohen për biodiversitetin dhe argëtohen”, tha Kumbaro.

Nëpërmjet prezantimeve, videove, aksioneve për mbjellje dhe pastrim, si dhe lojërave të ndryshme të rinjtë angazhohen në njohjen dhe ruajtjen në mënyrë sa më cilësore të biodiversitetit dhe mjedisit të përbashkët.

Temat e orëve të hapura mjedisore që po zhvillohen janë problemet mjedisore, të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e turizmit, si ndotja nga mbetjet urbane etj. Edukimi i  brezit të ri shërben që ata të konceptojnë jo thjesht që duhet të pastrojnë mbeturinat e të bëjnë aksione, por të kuptojnë çdo të thotë të vlerësosh burimet natyrore, t’i kursesh ato dhe për brezat e ardhshëm.