Në një studim të Universitetit “Leiden” thuhet se 800 të rinj u monitoruan për tre muaj me orët inteligjente të modelit “Garmin Vivosmart 4”.
Pjesëmarrësve iu kërkua të raportonin stresin, lodhjen dhe gjendjen e gjumit katër herë në ditë.
Sipas kësaj, u konstatua se kishte një korrelacion “pothuajse zero” midis niveleve të stresit të matura nga orët dhe përgjigjeve të vetë-raportuara të pjesëmarrësve. Për një të katërtën e pjesëmarrësve, kur ata raportuan se ndiheshin të stresuar ose jo, orët inteligjente treguan të kundërtën.
Studimi zbuloi se matjet e lodhjes ishin pak më të sakta sesa matjet e stresit, ndërsa kohëzgjatja e gjumit ishte më e lidhur me nivelin e pushimit që ndienin pjesëmarrësit. Megjithatë, u theksua se të dhënat e gjumit pasqyrojnë vetëm kohëzgjatjen e gjumit dhe nuk ofrojnë informacion të drejtpërdrejtë në lidhje me cilësinë e gjumit.
“Matja e rrahjeve të zemrës nuk mjafton për të përcaktuar gjendjen tuaj emocionale. Rrahjet e zemrës mund të rriten edhe me lumturi, emocione si dhe me ankth”, tha docenti Eiko Fried nga Departamenti i Psikologjisë Klinike.
Ai thekson se rezultatet e studimit ngrenë pyetje të rëndësishme lidhur me gjetjet e të dhënave të pajisjeve mbi gjendjet mendore, duke paralajmëruar që ”kini kujdes dhe mos jetoni sipas orës suaj inteligjente. Këto janë produkte të konsumit, jo pajisje mjekësore”.
Studimi u publikua në revistën “Journal of Psychopathology and Clinical Science”.