Ora e Isidor Straus, pasagjer në “Titanik”, shitet me çmim rekord

0
4

Ora i përkiste Isidor Straus, bashkëpronar i dyqanit të famshëm “Macy’s” në New York, i cili humbi jetën së bashku me bashkëshorten e tij Ida kur anija u përplas me një ajsberg më 14 prill 1912.

Trupi i Straus u gjet disa ditë pas mbytjes dhe mes sendeve të tij personale ishte edhe ora prej 18 karatësh e markës “Jules Jurgensen”. Ajo kishte mbetur në familje për më shumë se një shekull, deri sa pasardhësit e tij vendosën ta nxirrnin në shitje. Ora ishte ndalur në 02:20,  momenti kur “Titaniku” u zhduk nën valët e Atlantikut.

Isidor dhe Ida Straus njihen për historinë e tyre prekëse të dashurisë. Në natën e tragjedisë, Ida raportohet se refuzoi vendin në varkën e shpëtimit, duke thënë se nuk do të linte vetëm burrin e saj. Trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Në ankand u shit edhe një letër e shkruar nga Ida gjatë udhëtimit me “Titanikun”, për 100 000 paund.

Pjesë të tjera të rralla përfshijnë listën e pasagjerëve të anijes, e cila u ble për 104 000 paund, si dhe një medalje ari e dhënë ekuipazhit të anijes” Carpathia”, që shpëtoi më shumë se 700 të mbijetuar, e shitur për 86 000 paund. Në total, ankandi i objekteve të lidhura me “Titanikun” arriti vlerën 3 milion paund.

Ora mendohet të ketë qenë një dhuratë 43-vjetori nga Ida për Isidorin, në vitin 1888, dhe është e gdhendur me inicialet e tij. Ajo u trashëgua brez pas brezi përpara se stërnipi Kenneth Hollister Straus t’i rikthente funksionimin përmes restaurimit profesional.

Një vit më parë, një orë e artë e dhuruar kapitenit të anijes “Carpathia” ishte shitur për 1,56 milion paund, duke mbajtur atëherë rekordin. Ora e Strausit e tejkaloi këtë shifër, duke u bërë objekti më i shtrenjtë i lidhur me “Titanikun” që është shitur ndonjëherë.