Shtatë dekada pas vënies së parë në skenë, Opereta “Agimi” u rikthye në teatrin “Andon Zako Çajupi”, si pjesë e MIK Fest, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Me regjinë e Inva Mulës, kjo vepër e luajtur për herë të parë në vitin 1954 përçoi edhe një herë dashurinë për jetën dhe për vendin. “Jemi krenarë që këtë vit në MIK Fest mbështesim vlerat që shkojnë krah për krah me artin, kulturën dhe traditën e bukur shqiptare”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Delegacioni i BE-së, në Tiranë. “Agimi” është opereta e parë në krijimtarinë shqiptare, e cila u kompozua me rastin e 10-vjetorit të Çlirimit, në vitin 1954, nga kompozitori Kristo Kono “Artist i Popullit”. Opereta, e ndarë në tre akte, përshkruan dashurinë dhe thelbi i veprës është pikërisht triumfi i dashurisë.