Shefi i OKB-së për klimën, Simon Stiell, po bën thirrje për veprime më të shpejta ndaj ndryshimeve klimatike, një muaj para Konferencës së ardhshme të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, e njohur si COP30.

Pas publikimit të raportit mbi adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, ai tha se ka lajme të mira dhe të këqija.

Lajmi i mirë, sipas tij, është se drejtimi tani është i saktë, me pothuajse të gjitha vendet që përpiqen të adaptohen ndaj pasojave të rritjes së temperaturave.

“Ky raport i ri tregon se po bëhen përparime reale”, tha Stiell.

Megjithatë, lajmi i keq është se gjithçka po ecën shumë ngadalë.

“Pra, ky raport mund të ketë lehtësisht nëntitullin; ‘Mjaft me justifikime, investitorë!’,  tha Stiell, i cili drejton Konventën e Kornizës për Ndryshimet Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC) me seli në Bonn të Gjermanisë.

Veçanërisht vendet më të varfra kanë vështirësi në mbledhjen e burimeve financiare të nevojshme për përpjekjet klimatike përkatëse.

Për të shfrytëzuar fondet e vendosura nga vendet më të pasura, shpesh kërkohen procedura të ndërlikuara aplikimi. Vendeteve më të varfra u mungon gjithashtu ekspertiza e nevojshme.

“Çdo vit, pasojat e ndryshimeve klimatike bëhen më intensive dhe më të pabarabarta,” tha Stiell. Adaptimi ndaj ngrohjes globale nënkupton mbrojtje ndaj përmbytjeve, thatësirave, zjarreve në pyje dhe stuhive.

Kjo është e barabartë me mbrojtjen e ekonomisë, e cila ndikohet rëndë nga këto katastrofa natyrore, tha Stiell.