Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) bëri thirrje sot për akses të papenguar dhe të sigurt të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. “U bëj thirrje autoriteteve izraelite, palëve të tjera në konflikt dhe atyre me ndikim mbi to që të ruajnë një mjedis për dërgimin e sigurt dhe të papenguar të ndihmave humanitare”, shkroi në një deklaratë shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini. Ai bëri thirrje që furnizimet humanitare për Rripin e Gazës të sigurohen për të përmbushur nevojat, duke përfshirë karburantin, ushqimin, ilaçet, ujin dhe materialet higjienike edhe për ata me nevoja specifike si gratë, vajzat adoleshente dhe personat me aftësi të kufizuara. Shefi i UNRWA-s kundërshtoi akuzat e fundit të bëra nga Izraeli se punonjësit e ndihmës së OKB-së po dështonin në detyrat e tyre. “Ky është një dezinformim i pabazë”, tha Lazzarini. Pothuajse e gjithë popullsia e Gazës, rreth 2,2 milion banorë, aktualisht varet ekskluzivisht nga ndihma humanitare, duke përfshirë ushqimin. Sipas vlerësimeve te fundit të UNRWA-s, 40% e banorëve të Gazës janë në rrezik nga uria. “Nuk është koha për të shkëmbyer akuza dhe për të promovuar dezinformata. E drejta ndërkombëtare humanitare është shumë e qartë, Shteti i Izraelit si fuqi pushtuese duhet të sigurojë që popullsia të ketë akses dhe t’i ofrohen shërbimet bazë”, tha shefi i UNRWA-s.
OKB thirrje për aksesin e sigurt të ndihmave humanitare në Gaza
RELATED ARTICLES