Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi projektrezolutën e cila kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë ushtarët dhe personelin e saj nga centrali bërthamor Zaporizhias, që ndodhet në rajonin nën kontrollin e saj si dhe t’i kthejë menjëherë objektin Ukrainës.

Projektrezoluta e cila u hodh në votim në Asamblenë e Përgjithshme, u miratua me 99 vota pro dhe 9 vota kundër.

Vendet që votuan kundër projektrezolutës që kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë ushtarët dhe personelin e saj nga centrali bërthamor Zaporizhia dhe t‘i kthejë menjëherë objektin Ukrainës ishin Rusia, Bjellorusia, Kuba, Eritrea, Mali, Nikaragua, Siria, Burundi dhe Koreja e Veriut, ndërsa 60 vende duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut abstenuan.

Në vendim shprehet “shqetësim serioz” për rrezikun bërthamor dhe situatën e sigurisë në këtë central dhe thuhet se kthimi i tij nën kontrollin e plotë të Ukrainës do të garantojë mbrojtjen dhe sigurinë e centralit dhe do të lejonte Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të “marrë masa për mbrojtje të sigurt, efikase dhe efektive”.

Në rezolutën, ku përsëritet kërkesa që Rusia “të përfundojë menjëherë agresionin e saj kundër Ukrainës” dhe të tërheqë të gjithë ushtarët e saj, u konfirmua edhe një herë angazhimi i OKB-së për “sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial” të Ukrainës.

Centrali bërthamor Zaporizhia që ka 6 reaktorë bërthamorë, ndodhet në rajonin e kontrolluar nga Rusia në juglindje të Ukrainës afër vijave të frontit dhe është vazhdimisht nën zjarr të kryqëzuar.