Sipas agjencisë së OKB-së, rritja vjetore e CO2 është trefishuar që nga vitet 1960. Gazrat e tjera serrë me jetë të gjatë, përfshirë metanin (CH4) dhe oksidin nitroz (N2O), gjithashtu arritën nivele rekord.
Në vitet 1960, përqendrimi i CO2 rritej mesatarisht me 0,8 pjesë për milion (ppm) në vit. Mes 2011 dhe 2020 kjo rritje ishte 2,4 ppm, ndërsa midis 2023 dhe 2024 arriti në 3,5 ppm, duke e çuar përqendrimin total të CO2 në atmosferë vitin e kaluar në 423.9 ppm.
CO2, i prodhuar nga djegia e karburanteve fosile, ndikon në klimë për shekuj, pasi mes 15% dhe 40% mbetet në atmosferë edhe pas 1 000 vjetësh.
WMO-ja paralajmëroi se zjarret natyrore po shtojnë CO2 në atmosferë, ndërsa kapaciteti i pyjeve dhe oqeaneve për ta thithur është në rënie për shkak të ndryshimeve klimatike, duke krijuar një “rrjedhë të keqe”.
Fenomeni *”El Nino” vitin e kaluar përkeqësoi situatën, duke sjellë thatësira në Amerikën e Jugut dhe Afrikën e Jugut, si dhe më shumë zjarre. Thatësira ul aftësinë e ekosistemeve për të thithur CO2.
Të dhënat e temperaturave tregojnë se 2024 ishte viti më i nxehtë që nga fillimi i epokës industriale rreth vitit 1750, me një rritje prej mbi 1,55 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale. Oqeanet botërore ishin gjithashtu më të ngrohta se kurrë, si në sipërfaqe ashtu edhe deri në thellësi prej 2 000 metrash.
Rreth gjysma e CO2 të emetuar mbetet në atmosferë, ndërsa tjetra thithet nga ekosistemet, përfshirë detin. WMO –ja paralajmëron se ngritja e temperaturës detare ul aftësinë e oqeaneve për të thithur CO2, ndërsa thatësirat e rritura ndikojnë në thithjen nga toka.





