Miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur në të gjithë botën po përgatiten për një dimër të ftohtë me shumë më pak ndihmë sesa vitet e kaluara, tha sot Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Dominique Hyde i UNHCR-së tha se, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të ndihmës nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera, mbështetja e saj për refugjatët këtë dimër do të jetë “shumë më e vogël këtë vit”.

“Buxhetet humanitare janë të sforcuara deri në pikën e thyerjes dhe mbështetja dimërore që ofrojmë do të jetë shumë më e vogël këtë vit”, tha Hyde.
“Familjet do të duhet të durojnë temperaturat e acarta pa gjëra që shumë prej nesh i marrin si të mirëqena: një çati të duhur, izolim, ngrohje, batanije, rroba të ngrohta ose ilaçe”, shtoi ai.

UNHCR dëshiron të mbledhë fonde nga donatorë privatë për të kompensuar disa nga shkurtimet në mbështetjen qeveritare.

Ajo ka nisur një apel për donacione me një objektiv prej të paktën 35 milionë dollarësh.
Agjencia tha se veshjet dimërore për një fëmijë refugjat në Moldavi kushtojnë 95 dollarë.
Për ekuivalentin e 30 dollarëve, një familjeje në Afganistan mund t’i sigurohet një sobë tradicionale.

Me 120 dollarë, një familjeje në Liban mund t’i bëhet streha e tyre rezistente ndaj dimrit.
Agjencia tha se po përpiqej të ndihmonte njerëzit në Ukrainë, të cilët po përballen me dimrin e tyre të katërt të luftës me temperatura që shpesh bien në minus 20 gradë Celsius, si dhe më shumë se DY milionë afganë që janë detyruar të kthehen në atdheun e tyre, disa prej të cilëve “duarbosh dhe me pak perspektivë”, nga Pakistani dhe Irani