Të paktën 841 persona janë ekzekutuar në Iran deri më tani këtë vit, deklaruan Kombet e Bashkuara, duke i bërë thirrje Teheranit të vendosë një moratorium mbi dënimin me vdekje.

“Vetëm në korrik, autoritetet iraniane ekzekutuan 110 individë”, theksoi në një deklaratë Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Kjo përfaqëson më shumë se dyfishin e numrit të personave të ekzekutuar në korrik të vitit të kaluar dhe vjen pas një rritjeje të madhe të ekzekutimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2025,” shtoi ajo.

Në vitin 2024, të paktën 975 persona u ekzekutuan në Iran.

Shamdasani tha se “numri i lartë i ekzekutimeve” pasqyron “një model sistematik të përdorimit të dënimit me vdekje si një mjet frikësimi nga shteti, me synim joproporcional të pakicave etnike dhe migrantëve”.

Zyra e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) i bën thirrje Iranit të pezullojë dënimin me vdekje, “si një hap drejt heqjes së tij”, sipas zëdhënëses.