Drejtoresha e Komunikimit të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Juliette Touma tha se janë në prag të humbjes së një brezi të tërë fëmijësh në Rripin e Gazës nën sulmet izraelite. Në videon e shpërndarë në llogarinë zyrtare X të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Touma jepte informacione për situatën e fëmijëve në Gaza nën sulmet izraelite. Sipas saj, të paktën 600 mijë fëmijë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë që nga dita e fillimit të sulmeve izraelite. Touma tha se shumë shkolla janë mbyllur ndërsa shkollat e UNRWA-së janë kthyer në strehimore. “Kjo do të thotë se nëse kjo luftë vazhdon, ne do të rrezikojmë të humbasim një brez të tërë fëmijësh”, tha Touma. Ajo thekson se koha e largimit të fëmijëve nga shkolla do ta bëjë të vështirë kompensimin e humbjeve të tyre në arsim. Touma në fund bëri thirrje për armëpushim për fëmijët. Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, u vranë 38.345 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa 88.295 të tjerë u plagosën. Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar