Bota duhet të përgatitet për valë më intensive të nxehti, paralajmëroi sot OKB-ja, pasi Hemisfera Heriore i afrohet një piku të valëve të të nxehtit. “Këto dukuri do të vazhdojnë të intensifikohen dhe bota duhet të përgatitet për valë më intensive të të nxehtit”, tha John Nairn, ekspert i Organizatës Botërore Meteorologjike të Kombeve të Bashkuara (WMO), gjatë një konference për shtyp në Gjenevë. “Fenomeni i deklaruar së fundmi El Nino vetëm do të përforcojë shfaqjen dhe intensitetin e valëve ekstreme të të nxehtit”, tha ai. Në Amerikën e Veriut, Azi, Afrikën e Veriut dhe pellgun e Mesdheut, temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius për disa ditë këtë javë, për shkak të intensifikimit të valës së të nxehtit. “Një nga fenomenet e dukshme që kemi vëzhguar është se numri i valëve të njëkohshme të të nxehtit në Hemisferën Veriore është gjashtëfishuar që nga vitet 1980. Kjo prirje nuk tregon asnjë shenjë uljeje”, vuri në dukje Nairn. “Prandaj kam frikë se nuk jemi në fund të problemeve tona dhe se këto valë do të kenë një ndikim serioz në shëndetin dhe jetesën e njerëzve”, shtoi ai. Ekspertët thonë se gazrat serrë që bllokojnë nxehtësinë janë shkaku i ndryshimeve klimatike. Gazrat si dyoksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit luajnë një rol vendimtar në parandalimin e reflektimit të një pjese të rrezatimit diellor në hapësirë. Kur ky cikël është i balancuar, ai e mban planetin në një temperaturë të jetueshme. Por, një rritje e paqëndrueshme e sasisë së gazeve serrë në atmosferë do të thotë se më shumë nxehtësi është bllokuar atje, duke krijuar jo vetëm ngrohjen globale, por edhe anomali të tjera klimatike. atsh
OKB: Bota të përgatitet për valë më intensive të nxehti
RELATED ARTICLES