Lidhur me monitorimin e zgjedhjeve, në raport thuhet se “të gjithë bashkëbiseduesit e ODIHR theksuan domosdoshmërinë e një misioni të gjerë vëzhgimi zgjedhor nga ODIHR, duke nënvizuar rëndësinë e vendosjes së tij përpara ditës së zgjedhjeve dhe në të gjitha qarqet për të siguruar një mbikëqyrje të pavarur dhe të paanshme të gjithë procesit zgjedhor”.

“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore vlerësuan rekomandimet zgjedhore të ODIHR-it si një kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e kuadrit dhe praktikave zgjedhore. Shumë bashkëbisedues theksuan rëndësinë kritike të vëzhgimit të periudhës para zgjedhjeve, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin e mundshëm në krijimin e një fushe të barabartë gare. Ata identifikuan disa aspekte që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë punën e administratës zgjedhore, futjen dhe zbatimin e teknologjive të reja në zgjedhje, fushatën dhe mbulimin e saj nga mediat dhe platformat online, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve”, vijon raporti.

Duke u bazuar në këto konsiderata, ODIHR rekomandon vendosjen e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EOM) për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Përveç një ekipi bazë ekspertësh, ODIHR rekomandon që shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 26 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur procesin zgjedhor në gjithë vendin, si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procedurat e ditës së zgjedhjeve, përfshirë votimin, numërimin e votave dhe përmbledhjen e rezultateve. Në përputhje me metodologjinë standarde të ODIHR-it, do të përfshijë edhe një element monitorimi të mediave.