Paskali u shqua për vepra me karakter dhe të veçanta, për cilësi shprehëse që mbizotëronin me një gjenialitet të rrallë materialet e ngurta, duke i bërë ato aq bukur “të lexueshme” nga sytë e njerëzve.
Odhise Paskali lindi në Përmet, në dhjetor të vitit 1903. Ai është një nga themeluesit e skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Në vitin 1919 ai shkoi në Itali dhe në vitin 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e letërsisë dhe historisë së artit. Më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”.
Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20.
Në vitet ‘30 u bë nismëtar i shoqatës “Miqtë e Arbrit”, e cila ishte organizatorja e së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.
Rreth viteve 20-30, Odhise Paskali e nisi karrierën në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti.
Punimet në skulpturë i nisi sapo mbaroi fakultetin dhe studimet për artin pranë ateliesë së një skulptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.
Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.
Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, etj.
Ai është bashkautor i Monumentit të Skënderbeut në Tiranë; autor i bustit të Skënderbeut, bashkautor i Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, si dhe autor i dhjetëra busteve dhe monumenteve të personaliteve të shquara kombëtare dhe të rilindësve.
Ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave, i pari për shumë vite nga fusha e arteve, dhe ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”.