Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili propozoi sot nga Tirana që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një vizë të përbashkët turistike. Gjatë fjalës së tij në Forumin ndërkombëtar “E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri” që nisi ditën e dytë të punimeve me panelin e parë tematik “Roli i qeverive në formësimin e agjendave të së ardhmes”, Pololikashvili theksoi se të gjithë së bashku duhet të krijojnë një destinacion turistik me emrin “Vizitoni Ballkanin”. “Të gjithë së bashku, bashkë me Shqipërinë, duhet të krijojmë një destinacion turistik me emrin “Vizitoni Ballkanin”. Dhe duam që brenda 4-5 ditësh të vizitojnë 4-5 shtete. Së dyti është politika e vizave që të kemi një vizë, që turisti të ketë mundësin që të vizitojë këto 4-5 shtete”, deklaroi ai. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në një prononcim për mediet e vlerësoi këtë ide duke shtuar se në këtë mënyrë mund të mbahen turistët më gjatë në Ballkan. “Ne nuk e shohim njëri-tjetrin si konkurrent, kjo është qasja jonë, por e shohim si plotësues të një tregu që ta mbajë më gjatë turistin që vjen nga destinacionet e largëta në Ballkan”, deklaroi Kumbaro. Forumi Ndërkombëtar i Turizmit që po mbahet në Pallatin e Kongreseve organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme . atsh