Pothuajse 36 milionë banorë në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mund të kenë shfaqur pasoja shëndetësore që kanë zgjatur për një kohë të gjatë, pas infeksioneve me koronavirus, që nga fillimi i pandemisë. “Sipas raportit, kjo korrespondon me rreth një në 30 evropianë gjatë tre viteve të fundit”, tha sot drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge në një konferencë për shtyp, në Kopenhagë. “Duhet bërë shumë më tepër për të kuptuar më saktë Covid-in e gjatë, “Long Covid”, tha ai. “Covid-i i gjatë mbetet një gjendje komplekse për të cilën dimë ende shumë pak”, tha Kluge. “Pa zhvillimin e nje diagnoze gjithëpërfshirëse dhe formave të trajtimit, shoqëria nuk do të shërohet kurrë nga pandemia”, shtoi ai. OBSH-ja numëron gjithsej 53 vende në Rajonin e saj Evropian, duke përfshirë jo vetëm BE-në, por edhe vendet në lindje të saj, deri në Azinë Qendrore. Covid-i i gjatë është termi i përdorur për të përshkruar simptomat që vazhdojnë përtej fazës akute të sëmundjes, e cila zgjat katër javë, ose që më pas rishfaqet. atsh