Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se nevojiten masa urgjente për të shpëtuar financimin e sistemeve shëndetësore në shumë vende që përballen me borxhe masive.
“Bota po përballet me një emergjencë globale të financimit te sistemeve shëndetësore që kërkon veprime të koordinuara dhe urgjente”, paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
OBSH publikoi një sërë rekomandimesh për të kundërshtuar efektet e menjëhershme dhe afatgjata të shkurtimeve drastike të ndihmës ndërkombëtare, të cilat kanë ndërprerë ndjeshëm shërbimet themelore shëndetësore në shumë rajone.
Nën presidencën e Donald Trump, Shtetet e Bashkuara ulën në mënyrë drastike ndihmën e tyre, duke shkaktuar pasoja katastrofike në të gjithë botën, ndërsa donatorë të tjerë të mëdhenj gjithashtu kufizuan shpenzimet e tyre.
OBSH tregoi se në vitin 2025 ndihma ndërkombëtare për shëndetin parashikohet të bjerë me më shumë se 30% krahasuar me vitin 2023.
Të dhëna nga muaj mars tregojnë ndërprerje të menjëhershme të shërbimeve shëndetësore në afërsisht 70% të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
“Këto shkurtime drastike të buxhetit tashmë po i prishin rëndë sistemet dhe shërbimet shëndetësore. Një e treta e vendeve tani po raportojnë mungesa kritike të barnave dhe programeve shëndetësore thelbësore”, tha Tedros





